Kryesore

Kapet nga Policia bossi i Shell Kosova pas 10 ditësh në arrati

Bossi i kompanisë ‘Shell Kosova’, multimilioneri Lulzim Kryeziu, i dyshuar për dhunë në familje ka rënë në prangat e Policisë pas 10 ditësh në arrati. Biznesmeni kosovar rrezikon të qëndrojë prapa grilave për një muaj nëse Prokuroria nuk tregohet dorëlirë, edhe në këtë rast. Ndaj tij tashmë është urdhëruar masa e ndalimit, por Kryeziu nuk ndodhet në Qendrën e Mbajtjes, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se të martën në mbrëmje, Policia ka arritur ta ndalojë Kryeziun, i cili ishte shpallur në kërkim qysh nga 4 qershori.

Arratisja ishte forma e vetme e Kryeziut t’i ikur drejtësisë pasi u denoncua për dhunë në familje nga bashkëshortja dhe djali i tyre 25-vjeçar. Por, nuk pati mundësi ta shijojë gjatë lirinë, pasi organet e rendit siguruan prezencën e tij.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit urdhëroi masën e ndalimit, por i njëjti iu shmang ndalimit policor në objektet e Policisë. Kryeziu arriti ta gjejë një zgjidhje për të mos qëndruar në qeli, ndonëse po ruhet nga Policia.

Të njëjtat burime thonë se biznesmeni po e shijon këtë masë sigurie nga një spital privat në Prishtinë, ku është shtrirë për trajtim mjekësor, ndonëse s’dihet cilat janë ankesat e tij.

Brenda afatit ligjor, pritet të shihet nëse Prokuroria do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Kryeziut, i cili është recidivist i veprës penale “Dhuna në familje”.

Për një gjë të tillë, siç ka ndodhur edhe më herët me rastin e Kryeziut, nuk kanë dhënë detaje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Në përgjigjen e tyre për Sinjalin thuhet se rezervohen të deklarohen për çështjet familjare që janë të mbyllura për publikun.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se rezervohemi në dhënien e informatave lidhur me rastet të cilat trajtojnë çështje familjare dhe janë të mbyllura për publikun, për shkak të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit apo pjesëmarrësve tjerë në procedurë, dhe atë konform dispozitave të KPPRK-së.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.