“Kanë qenë me terapi dhe më të moshuar”/ Në Jarinje e Bërnjak u dërguan policë me sëmundje kronike
Nëntë pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët po patrullonin tash e 11 ditë në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë transportuar për në jug nga njësiti paqeruajtës, KFOR. Kjo për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore, raporton Gazeta Sinjali.
Kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri, ka bërë të ditur për Insajderin se në veri të vendit janë dërguar policë të moshuar, të cilët vuajnë nga sëmundje kronike dhe gra police të cilat janë nëna të fëmijëve të vegjël.
“Policët janë tërhequr sonte me asistim të KFOR-it. Këta policë kanë qenë më sëmundje kronike, jo policë që janë sëmurë aty apo prekur nga ndonjë sëmundje tjetër. Prej tyre janë 6 meshkuj, 3 femra, nëna që kanë fëmijë të vogël por kryesisht policët që janë tërhequr kanë qenë me sëmundje, me terapi dhe më të moshuar. Kjo ka qenë arsye pse ka kërkuar menaxhmenti që të tërhiqet stafi që të mos rrezikohet më shumë shëndeti i tyre”, ka thënë Zeka.
Ai tutje ka deklaruar se situata aktuale është e rënduar, për shkak se zyrtarët policorë që po shërbejnë në veri tash e 11 ditë janë në krye të detyrës pa pasur mundësi të bëhet ndërrimi i rregullt.
“Atje duhet patjetër me u bë ndërrimi, por kalohet 11 ditëshi po bëhet dita e 12 që nuk është bë ndërrimi i rregullt i Policisë dhe vërtetë në ambiente të tilla, bile edhe në ambiente më luksoze me qenë 12 ditë pa ndërprerë ditën e natën, është shqetësim i madh ne. Jemi duke bërë përpjekje për përmirësim të situatës”, potencoi ai.
Zeka ka dhënë detaje edhe për gjendjen shëndetësore të policëve që u tërhoqën nga veriu, duke thënë se ata nuk janë hospitalizuar por janë dërguar në shtëpitë e tyre.
“Ata janë kthyer në shtëpitë e tyre, nuk janë të shtruar në spital por për shkak se janë me sëmundje kronike dhe duke përdorë terapi është vendosur kështu. Terapia iu është dërguar d.m.th nuk iu ka munguar, të jemi të qartë këtu”, tha tutje kryesindikalisti i Policisë.
Ndryshe, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka konfirmuar se transportin e policëve e ka kryer KFOR-i.
“Bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme PK-ja mban edhe me KFOR-in, i cili sot për shkaqe shëndetësore ka përkrahur transportimin e 9 zyrtarëve policorë nga veriu në jug”- ka thënë Kelani.
Javën e shkuar, Gazeta Sinjali raportoi se zyrtarët policorë ishin bllokuar dhe kishin mungesë të ushqimit dhe madje iu ishte pamundësuar edhe mbajtja e higjienës personale.