“Kam me t’i çitë trutë n’tokë”/ Burri në Fushë Kosovë i shkon te banesa ish të dashurës në pikë të natës
Rastet e dhunës në familjet kosovare nuk po kanë të ndaluar. Në shumicën prej tyre viktima janë gratë e vajzat, të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike edhe nga ish-bashkëshortët e ish-partnerët. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në orët e mëngjesit, në Fushë Kosovë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish të dashurës së tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja e ka denoncuar të dyshuarin, me të cilin kanë bashkëjetuar për disa vite dhe kanë një fëmijë. Viktima ka deklaruar se ai e ka kërcënuar, duke i thënë se “kam me t’i çitë trut n’tokë” dhe i ka shkaktuar telashe duke i shkuar te banesa në pikë të natës.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas mesnate, kur i dyshuari e kishte shqetësuar në masë të madhe viktimën, derisa ajo u detyrua të kërkojë ndihmë nga Policia. Posa njësitet policore arritën në vendin e ngjarjes e kapën në flagrancë të dyshuarin, i cili më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Sinjali mëson se i dyshuari ka vendosur të mbrohet në heshtje, me ç’rast pas përfundimit të procedurave policore me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë për veprën penale “Dhunë në familje”.