“Kam me iu masakru”/ Vajza e çon babanë në Polici, thotë se e sulmoi fizikisht
Konfliktet familjare në qytetet e ndryshme të vendit, shpesh herë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje shpesh herë eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Fushë Kosovë, ku një vajzë ka denoncuar babanë e saj në Polici.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 57-vjeçari dyshohet se ka sulmuar fizikisht të bijën duke i shkaktuar lëndime trupore dhe më pas e ka kërcënuar se do t’i masakrojë.
Si pasojë e dhunës, 19-vjeçarja ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore, në cilësinë e dëshmitarëve janë intervistuar edhe dy anëtarë tjerë të familjes.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Kanosje’.