Javë e përgjakshme në Kosovë: Tre të vrarë e dhjetëra të plagosur – të dyshuarit në arrati
Java e parë e muajit gusht u shënua me disa ngjarje tronditëse në Kosovë. Që nga e premtja e 4 gushtit kanë ndodhur tri vrasje të rënda, ku tre persona janë vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Kjo ka bërë që Policia të shtojë masat e sigurisë nëpër gjithë vendin dhe të shtojë kontrollet në kërkim të armëve ilegale, raporton Gazeta Sinjali.
E premtja e shkuar ishte e zakonshme deri në orët e mbrëmjes. Në lokalin e njohur ‘Bon Vivant’ në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë, një konflikt mes dy grupeve të armatosura la të vrarë Kastriot Ramadanin, teksa u plagosën dhe lënduan edhe 20 persona të tjerë.
Tre prej të dyshuarve, Andi Pajaziti [i njohur me nofkën ‘Italiani], Hysni Geci dhe Gëzim Zakuti janë arrestuar dhe ndodhen nën masën e paraburgimit. Pajaziti akoma nuk është dërguar në qendrën e paraburgimit, përkundër që kjo masë është caktuar, pasi i njëjti po trajtohet në Klinikën e Ortopedisë.
Recidivisti i veprave penale dyshohet për vrasjen e Ramadanit, por edhe vetë ai ka mbetur i plagosur nga e gjithë ngjarja e rëndë.
Nga vendi i ngjarjes arriti që të arratisej, Dukagjin Nikollaj – Duka, emër i njohur për organet e rendit dhe i shumëkërkuar nga FBI për trafik droge.
Gati një javë pas krimit, Nikollaj ende po shijon lirinë nga arratia dhe Policia s’ka arritur që ta lokalizojë vendndodhjen e tij.
E vetëm tri ditë më pas, në lokalin ‘Coyote Lounge Bar’ në Klinë, për motive ende të panjohura, një person ka shtënë me armë zjarri në drejtim të 47-vjeçarit, Anton Prela.
I ndjeri nuk arriti që t’u përballojë plagëve të marra dhe u dërgua pa shenja jete në spital, ndërkohë që i dyshuari u largua në drejtim të panjohur.
I dyshuari Tush Frroku, i cili po ashtu ishte dhëndër i Prelës, pasi ishin të martuar me motrat e njëri-tjetrit, tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Ndryshe nga rasti ku është i përfshirë Nikollaj, Policia ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve të cilët mund të kenë informacione mbi vendndodhjen e Frrokut. Madje për kapjen e tij tashmë janë aktivizuar dronët dhe Njësia K9 e Policisë së Kosovës.
Teksa Policia u aktivizua për ta kapur, Frroku po dyshohet se ka kryer një vepër tjetër. Sipas sinjalizuesve të Sinjalit, ai ka grabitur një veturë taksie në mes të rrugës, duke e kërcënuar shoferin dhe me të njëjtin automjet është arratisur.
Por siç duket, ai ka bërë një plan tjetër që të humb gjurmët. Sipas informacioneve të para, veturën e grabitur, pas bastisjeve, Policia e ka gjetur në shtëpinë e tij, ku i dyshuari e kishte lënë dhe më pas është larguar sërish në një drejtim të panjohur.
Edhe Frroku është emër i njohur për Policinë, pasi në vitin 2020 ndaj tij ishte lëshuar një urdhëresë nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, për dy raste të veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’. Ai ishte ekstraduar nga shteti i Italisë dhe ishte arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’.
Mëngjesi i sotëm e gjeti Kosovën me një tjetër ngjarje tronditëse. Brenda një jave u shënua e treta vrasje e rëndë. Kësaj here dy persona të maskuar hynë në një lokal në fshatin Runik të Skenderaj dhe qëlluan me armë në drejtim të disa personave, duke lënë kështu të vrarë në vend një 39-vjeçar, ndërsa plagosën tre persona tjerë.
I ndjeri, Nexhmedin Loshi, ka marrë plagë të rënda dhe si pasojë e kësaj nuk ka arritur që të mbijetojë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të plagosurit u dërguan me urgjencë për në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për tretman mjekësor.
Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, ka folur sot për Sinjalin drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Gani Jashanica, i cili tha se njëri prej të plagosurve ishte në gjendje të rëndë dhe si pasojë e plagëve i është amputuar këmba.
“Njërit sipas ekipit kujdestar, në bashkëpunim me kirurgun vaskular, ia kanë amputu këmbën dhe dy të tjerë janë duke u trajtu ende në Emergjencë”, tha Jashanica.
Dy të plagosurit e tjerë, sipas drejtorit të Ortopedisë, kanë marrë plagë nga arma e zjarrit në gju dhe në shputën e këmbës dhe ata janë jashtë rrezikut për jetë.
“Gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë, kanë lëndime në gju edhe në shputë”, tha më tej Jashanica për Sinjalin.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka bërë me dije se të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur dhe ende nuk janë identifikuar.
Pas ngjarjeve të fundit ku u vranë tre persona në lokale të ndryshme në Kosovë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, Policia e Kosovës ka njoftuar se me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike, ka hartuar dhe që nga sonte ka filluar së zbatuari një plan operativ i cili do të shtrihet në tërë vendin.
Sipas njoftimit, “detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ ‘Goditja’, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato”.
Mes tjerash, u tha se do të shtohen kontrollet policore ndaj personave e automjeteve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara me theks të veçantë armëve dhe mjetet tjera të rrezikshme për jetën.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.