“Jam t’u u ni tepër keq…”, ish-deputeti Berisha flet pas arrestimit të babait të tij, i dyshuar për dhunimin e 23-vjeçares
Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për arrestimin e Shaban Berishës, babait të ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, i cili dyshohet se është përfshirë në dhunimin e një vajze 23-vjeçare me probleme mendore në Pejë.
Lidhur me rastin ka folur eksklzuivisht për Sinjalin edhe vetë ish-deputeti Berisha, i cili tha se nuk ka ende informacione se çfarë ka ndodhur dhe s’ka pasur kontakt me babanë e tij sot.
“Jam duke ardhë rrugës, për qatë rastin që po flitet. Nuk kam qasje kontakt te baba hala, jam rrugës t’u shku. Nuk e di. Jam t’u shku, edhe pa shku me vërtetu nuk e di. Ju betohem që asnjë informacion nuk e kam. Kam qenë në Zvicër në udhëtim zyrtar, parmbramë jam kthy, mbramë kam folë me to [babanë], ka qenë gjithçka në rregull. Jam t’u u ni tepër keq, iu lus për mirëkuptim se nuk e di çka ka ndodhë”, tha Berisha.
Përpos Shaban Berishës, në pranga ka rënë dhe Ismet Gogaj, pasi dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të dhunimit, duke keqpërdorur seksualisht 23-vjeçaren, e cila fillimisht ishte raportuar e zhdukur.
Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se me urdhër të prokurorit është sekuestruar edhe vetura që dyshohet se është përdorur nga të dyshuarit për kryerjen e veprës penale.
Po ashtu, është siguruar edhe vendi ku dyshohet se ka ndodhur rasti.
Gogaj dhe Berisha janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tyre pritet të merren masa ligjore.
Ndryshe, rasti i rëndë u zbulua pasi motra e viktimës erdhi në Kosovë për ta kërkuar atë dhe si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore, vajza u gjet në Pejë.
Pasi vajza u gjet, gjendja e saj nuk ishte e mirë dhe e njëjta u dërgua për ekzaminimet e nevojshme, teksa njësitet policore u vënë menjëherë në lëvizje për të zbuluar se kush janë personat e dyshuar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.