Lajme

Istogasi i dehur kërcënon policët që shkuan të intervenojnë në një rast të dhunës në familje, arrestohet

Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen përditë në vendin tonë. Zakonisht janë gratë ato të cilat kërkojnë mbrojtje institucionale për shkak të dhunës që përjetojnë kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një ndër shkaqet kryesore që burrat bëhen agresivë dhe nuk kanë kontroll mbi veprimet e tyre, është edhe konsumimi i tepërt i alkoolit. Në telashe së fundi përfundoi edhe një burrë në Istog, i cili nën ndikim të alkoolit ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gruaja ka kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast ata kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin.

Mirëpo 40-vjeçari ishte agresiv edhe ndaj zyrtarëve policorë, të cilët dyshohet se i ka kanosur duke i penguar ata në kryerjen e detyrës zyrtare.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij Prokuroria ka nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.

Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.