Ish-policit serb i vazhdohet edhe për dy muaj masa e arrestit shtëpiak
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka marrë vendim për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak edhe për 2 muaj ndaj ish policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i arrestuar muaj më parë.
Pantiq dyshohet se ka kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje”.
Ish-polici serb ishte arrestuar vitin e kaluar nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë gjatë tensioneve në Veri. Arrestimi i Pantiqit u bë shkas që serbët në Veri të vendosin barrikada nëpër rrugë.
Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Lirimi i Pantiqit është kërkesa e parë e serbëve nga veriu i Kosovës të cilët në shenjë proteste ngritën barrikada në disa vende. Kërkesën për lirimin e Pantiqit e kishte bërë publikisht edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për media të mbajtur më 22 dhjetor, kishte thënë se kërkesa e serbëve për lirimin e ish-policit serb Dejan Pantiq ka qenë e papranueshme.