Ish-bashkëpartiakët për Kurtin: Po krijon vetë kriza që të dalë shpëtimtar
Ish-bashkëpartiakët po vlerësojnë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në përballje më krizat në vend ka dëshmuar që është një “amator në politikë”.
Sipas tyre, vetë Kurti është duke i shkaktuar këto kriza që në fund të dalë si një shpëtimtar ose si një hero.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Afrim Kasolli, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se kryeministri ka ndjekur një strategji të dyfishtë në ngjarjet e fundit në vend. Sipas tij, ai ka mbajtur një retorik të mosdorëzimit, por që në të gjitha rastet ka lëshuar pe.
“Nëse i shohim veprimet e deri tashme të kryeministrit Kurti ai ka ndjekur një strategji të dyfishtë të themi kështu, në njërën anë ka mbajtur një retorik të mos dorëzimit, një retorik të ashpër, mirëpo praktikisht në gjitha kriza që deri tash është përballur, ai ka lëshuar pe, pra ai mund ta vazhdoj këtë lojë para opinionit publik të shfaqet si një hero si një lider i cili nuk bënë kompromise dhe nuk lëshon pe as para presionit të bashkësisë ndërkombëtare dhe kërkesave të Serbisë siç e quan ai. Por që në anën tjetër praktikisht do të thotë të lëshojë pe, të bëjë kompromise dhe që nëpërmjet retorikes së tij të tentojë ta mbuloj këtë strategji të lëshimit të kompromiseve”, ka thënë Kasolli.
Ai ka theksuar se Kurti deri më tani ka dëshmuar një amaturizëm politik, pra sipas tij, nuk ka një strategji se si duhet të përballet me problemet.
“Deri më tani ka dëshmuar një amaturizëm politik, do të thotë nuk ka një strategji nuk ka një vizion të qartë, me gjitha krizat me të cilat po përballet Kosova, nuk kanë demonstruar një vizion afatgjatë se si ata e shohin dhe cili është projekti i tyre konkret për të dalë nga kjo situatë, qoftë me papunësinë, qoftë me marrëveshjen më Serbinë, me menaxhimin e lloj, lloj krizave kanë shkuar vetëm nga administrimi ad-hoc i tyre, por pa një strategji të qartë. Opinioni të paktën nuk ka pasur rastin dhe nuk ka pasur mundësinë që ta shohë konkretisht vizionin e tyre për t’u përballur me këto kriza me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare, edhe me vullnetin e të rinjve të Kosovës për të imigruar, nuk kemi parë as një reagim se çka do të duhej bërë që të ndalje ky trend apo hemorragji kombëtare”, është shprehur ai.
Kasolli u shpreh se kryeministri Kurti nëse do të detyrohet të nënshkruajë një marrëveshje me Serbinë ai do ta refuzojë duke bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Gjithçka është e mundur, nëse kryeministri kalkulon që nuk mund ta administrojë këtë situatë, mund të shkohet edhe në zgjedhje, edhe nga ideja që të krijohet një qeveri e përbashkët me gjithë faktorët e tjerë politikë në mënyrë që së bashku të menaxhohet një marrëveshje eventuale me Serbinë. Pra, jo vetëm nga refuzimi, por nëse Kurti pranon që të nënshkruajë këtë marrëveshje, mund të shkohet edhe në zgjedhje që të krijohet një qeveri e pajtimit kombëtar, kushtimisht po e quaj kështu një Qeveri të unitetit në mënyrë që të gjithë faktorët relevant politikë në jetën parlamentare të marrin përgjegjësi për një marrëveshje eventuale me Serbinë. Edhe nëse refuzon që të nënshkruajë një marrëveshje mund të ndodh që të imponohen zgjedhjet si alternativa e fundit për të dalë nga kjo bllokadë në të cilën jemi”, ka shtuar ai.
Nol Nushi, sekretar organizativ në Partia Socialdemokrate, dikur pjesë e partisë në pushtet, ka thënë se nuk beson që mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse sipas tij Kurti do të nënshkruajë çdo gjë që do t’i kërkohet.
Ai ka shtuar se Kurti është dorëzuar dhe se ai sipas tij, nuk është duke mbajtur as një premtim që ka dhënë.
“Kurti do t’i nënshkruajë krejt çka i del përballë, qysh i ka bërë deri tash do t’i bëjë edhe gjatë të ardhmes. Kurti tashmë është i dozuar, ai nuk është duke mbajtur as një premtim që ka dhënë karshi dialogut, as premtimet e sotme nuk i mban deri nesër, sepse këtu jemi dëshmitarë, kemi targat, kemi zgjedhjet në veri, të gjitha janë shtyrë dhe as një kusht i Kurtit nuk është plotësuar. Edhe barrikadat u hoqën në bashkëpunim me ata që i quante kriminal në veri, krejt çka po dimë është dorëzim i një pas njëshëm”, është shprehur ai.
Nushi ka thënë se krizat më të cilat është duke u përballur vendi janë duke u shkaktuar nga vetë Kurti, e që sipas tij, ai po dëshiron që nga kjo të dal si shpëtimtar.