KryesoreLajme

IPK e konfirmon arrestimin e policit të dyshuar për dhunim: Dyshohet se shantazhoi viktimën me foto

Inspektorati Policor i Kosovës e ka konfirmuar raportimin e Gazetës Sinjali për arrestimin e një zyrtari policor nga Gjakova, i dyshuar për dy vepra penale, “Ngacmim” dhe “Dhunim”. Polici i dyshuar, Enis Sefa, ka përfunduar në ndalim policor dhe i njëjti po ashtu është suspenduar, raporton Sinjali.

IPK ka njoftuar se para dy ditësh kanë pranuar informacione nga Policia e Kosovës për denoncimin e viktimës dhe dyshimet se ky zyrtar policor dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme.

Sipas informacioneve të para, IPK ka bërë të ditur se polici dyshohet se edhe e ka shantazhuar viktimën.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtari policor ka shantazhuar viktimën në këtë rast përmes disa fotove dhe video incizimeve.

Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë .

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.” – kanë bërë të ditur nga IPK për Sinjalin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.