Lajme

Incident në Veri: Pesë persona ia bllokojnë rrugën dhe e sulmojnë një 51-vjeçar

Mbrëmjen e së dielës një 51-vjeçar në Veri është përballur me disa persona, që ia bllokuan rrugën dhe e sulmuan për ,motive akoma të panjohura. Të dyshuarit arritën të ikin nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që viktima ka përfunduar në spital, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije se incidenti ka ndodhur në Leposaviq, kur papritmas pesë persona dyshohet se ia zunë pritën viktimës, e të cilit fillimisht ia bllokuan rrugën, e më pas e rrahën fizikisht, duke e goditur me grushte.

I shqetësuar për atë që ndodhi, 51-vjeçari u alivanos dhe nuk arriti t’i identifikojë të dyshuarit, pasi të njëjtit u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke mos lënë gjurmë që mund t’i zbulojnë.

Si pasojë e sulmit fizik, viktima u dërgua menjëherë në spital, ku ka marrë trajtimin mjekësor e më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe nisjen e hetimeve për kapjen e të dyshuarve dhe zbardhjen e motiveve.