Incident në Mitrovicë: Qytetari akuzon policin për sulm, por zbulohen detaje tronditëse nga pamjet
Një incident i pazakontë ka ndodhur të dielën mbrëma në Mitrovicë, ku një qytetar ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 në një lokal në qytet, njofton “Mitropol”.
Sipas raportimeve fillestare, ankuesi ka pretenduar se oficeri e ka sulmuar pa ndonjë arsye të qartë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Por zhvillimet e mëtejshme kanë hedhur dritë mbi një aspekt tjetër të rastit.
Njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë siguruar video-incizime nga vendi i ngjarjes, të cilat zbulojnë se ankuesi mbante një thikë, me të cilën dyshohet se ka kërcënuar policin. Mjeti i mprehtë është konfiskuar nga autoritetet, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Aktualisht, ngjarja është duke u hetuar nga organet kompetente, ndërsa mbetet e paqartë se si ka nisur konflikti mes dy palëve. Për detaje të mëtejshme, pritet të jepet një raport zyrtar.
Ky rast ka ngritur shqetësime në publik për përfshirjen e armëve të ftohta në situata të përditshme dhe për mënyrën e trajtimit të konflikteve nga të dyja palët e përfshira