Lajme

Iku para syve të Policisë derisa po dërgohej në paraburgim, dorëzohet pas katër muajsh i riu me të kaluar kriminale

Arrestimi dhe shoqërimi i të dyshuarve që kapen për vepra të ndryshme penale bëhet me siguri të lartë, që ua pamundëson atyre ikjen. Por raste të tilla nuk janë edhe të rralla për Policinë e Kosovës. Shpeshherë ka ndodhur që të dyshuarit t’iu ikin para syve të tyre, qoftë në lokacionet ku kanë intervenuar, nga stacionet policore, apo nga veturat zyrtare, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu kishte ndodhur në fshatin Pasjak të Gjilanit, në nëntor të vitit të kaluar, ku një person kishte arritur të ikte nga vetura zyrtare. Ai ishte shpallur në kërkim nga Policia qe nga muaji dhjetor, por nuk është kapur derisa u dorëzua vet në Polici.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dijë se bëhet fjalë për Isak Sveçlën, 34-vjeçar, i cili ishte futur në listen e personave të kërkuar dy javë pasi kishte ikur nga vetura e Policisë derisa po dërgohej në Qendrën e Paraburgimit.

Sinjali mëson se gjatë ditës së sotme ai është paraqitur në Polici, ku është intervistuar dhe më pas është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Kush është Isak Sveçla dhe për çfarë rasti dyshohet?

34-vjeçari fillimisht ishte arrestuar më 22 nëntor në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, pasi ishte në listën e personave të kërkuar për një rast të mëhershëm. Ai u ndalua derisa një njësi policore po patrullonte në atë pjesë, me ç’rast pas verifikimit rezultoi se ndaj tij kishte urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Por gjatë arrestimit, Sveçla dyshohet se kishte kërcënuar zyrtarët policorë, duke u thënë se do e shohin kush është ai në momentin që do të dalë nga burgu.

Kjo deklaratë i kishte kushtuar atij pasi me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit kishte nxjerrë aktvendim që ai të ndalohet dhe më pas është bërë kërkesë për paraburgim.

Pasi masa e sigurisë i ishte caktuar nga Gjykata, zyrtarët policorë nuk arritën ta dërgonin në qendrën e paraburgimit, pasi iu iku para syve të tyre. Kështu, i dyshuari ishte në duart e Policisë vetëm për dy ditë pasi ka arritur të zhduket sërish, duke shijuar lirinë në arrati.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.