Lajme

Ikja e pjesëtarëve nga ushtria: Flet ushtari që dha dorëheqje, tregon arsyen e largimit

Forca e Sigurisë së Kosovës është ballafaquar kohëve të fundit me dorëheqje të pjesëtarëve të saj që kanë shërbyer si ushtarë. Vetëm këtë vit është raportuar se 70 ushtarë janë larguar nga FSK-ja, numër ky që është rritur në krahasim me vitin e kaluar. Arsyet e dorëheqjeve kanë qenë nga më të ndryshmet, kushtet, aplikimi për viza, paga dhe arsye familjare, raporton Gazeta Sinjali.

Vetëm sot, dy pjesëtarë të moshave të reja kanë njoftuar se janë larguar nga FSK, Kumanovë Shala dhe Erion Gucati. Shala njoftoi se rrugëtimin e tij do ta vazhdojë jashtë FSK-së, teksa Gucati është larguar për arsye familjare.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Erion Gucati ka bërë të ditur se vendimin për dorëheqje e ka marrë për arsye familjare dhe nuk ka të bëjë as për pagë apo kushte të tjera brenda FSK-së.

“Dorëheqja ime është për arsye familjare dhe nuk ka të bëjë me parregullsi apo për çështje page aspak”, tha Gucati.

Gucati tha se është mirënjohës dhe falënderues për vendin ku shërbeu dhe me zemër të thyer po largohet nga ushtria.

“Me zemër të thyer nuk do të jem pjesë e saj gjë që e cila na mësoi dhe na mundësoi shumë gjëra të mira, na udhëzoi në shumë gjëra që ne të arrijmë ktu ku jemi sot”, tha ai.

Gucati tha se në “FSK shërbeva plot 3 vjet me nder dhe dinjitet të lartë. Shpresoj që çdo gjë e mirë ta përcjellë këtë institucion dhe pjesëtarët të cilët e përfaqësojnë si brenda ashtu edhe jashtë saj.”


Erion Gucati
Nga Forca e Sigurisë së Kosovës, sot u largua edhe Kumanovë Shala. Ai njoftoi se do të fillojë një rrugëtim të ri jashtë FSK-së.

Më tutje, Shala ka theksuar se nëse atdheut i duhet ndihma e tij, ai nuk heziton të jetë në shërbim përsëri “me mish e gjak”.


Kujtojmë se në vitin 2020 dhe 2019 ka pasur një numër më të vogël të largimeve nga FSK-ja. Kjo dukuri është parë shqetësuese edhe nga disa anëtarë të Komisionit për Siguri, për çka ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ishte ftuar për të raportuar.