Lajme

I riu që është shpallur në kërkim ka ikur para dy javësh nga vetura e Policisë, ka të kaluar kriminale

Policia Rajonale në Gjilan ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e Isak Sveçlës, 34-vjeçar, i cili është shpallur në kërkim që më shumë se dy javë, pasi ka arritur të ikë nga vetura e Policisë derisa po dërgohej në Qendrën e Paraburgimit. Gazeta Sinjali ka raportuar për këtë rast në fund të muajit nëntor, teksa sot Policia ka publikuar edhe foton e të dyshuarit.

Sveçla ka arritur të ikë nga vetura e Policisë e cila ishte në lëvizje dhe ia ka mbathur në një drejtim të panjohur, më 24 nëntor. Policia atë ditë është vënë në ndjekje të tij, por nuk kanë arritur ta kapin.

Kush është Isak Sveçla dhe për çfarë rasti dyshohet?

isak

34-vjeçari që është shpallur në kërkim ishte kapur më 22 nëntor në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, pasi ishte në listën e personave të kërkuar për një rast të mëhershëm. Ai u ndalua derisa një njësi policore po patrullonte në atë pjesë, me ç’rast pas verifikimit rezultoi se ndaj tij kishte urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Por gjatë arrestimit, 34-vjeçari dyshohet se kishte kërcënuar zyrtarët policorë, duke u thënë se do e shohin kush është ai në momentin që do të dalë nga burgu. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit kishtenxjerrë aktvendim atë ditë që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe më pas është bërë kërkesë për paraburgim.

Por pasi masa e sigurisë i ishte caktuar nga Gjykata, zyrtarët policorë nuk arritën ta dërgonin në qendrën e paraburgimit, pasi iu iku para syve të tyre. Kështu, i dyshuari ishte në duart e Policisë vetëm për dy ditë pasi ka arritur të zhduket sërish, duke shijuar lirinë në arrati.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.