Lajme

I riu në Kaçanik i jep dajak të dashurës në shtëpinë e tij, pastaj e dërgon në mal dhe zhduket

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në fshatin Dubravë të Kaçanikut, ku u arrestua një person nën dyshimet për dhunë ndaj të dashurës së tij.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë është Sh.B., i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Sipas informacioneve të para, ai po dyshohet se e kishte dërguar të dashurën në shtëpi, ku e ka rrahur e për të mos mbaruar me kaq e ka dërguar më pas në mal dhe është zhdukur.

Pasi vajza kishte arritur të largohej prej aty, e ka njoftuar Policinë për detajet e asaj që kishte ndodhur, me ç’rast ka kërkuar ndihmë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.