Lajme

I kërkuari me urdhër arrest ikë para syve të Policisë në Vushtrri, i kërcënon pasi e ndalojnë dhe zhduket

Arrestimi dhe shoqërimi i të dyshuarve që kapen për vepra të ndryshme penale bëhet me siguri të lartë, që ua pamundëson atyre ikjen. Por raste të tilla nuk janë edhe të rralla për Policinë e Kosovës. Shpeshherë ka ndodhur që të dyshuarit t’iu ikin para syve të tyre, qoftë në lokacionet ku kanë intervenuar, apo edhe nga stacionet policore, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe të dielën, në mesditë, në rrugën “Ismail Qemali” në Vushtrri, ku një person që kërkohej me urdhëresë të Gjykatës arriti të ikë nga Policia.

Burimet nga Prokurori kanë bërë me dije se gjithçka ndodhi për pak minuta, pasi Policia e ndaloi për verifikim të dyshuarin, i cili u mllefos dhe i kërcënoi. Për të mos mbaruar me kaq, ai arriti të shfrytëzojë situatën dhe ia mbathi para syve të policëve.

Si rezultat, Policia u aktivizua për kapjen e të dyshuarit, por akoma nuk kanë rënë në gjurmët e tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale “Kanosje” dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.