I kërkoi ta çonte te shtëpia, ky është taksisti që dyshohet se dhunoi të miturën
Pak me parë u raportua për një rast të tmerrshëm që dyshohet se ka ndodhur në lagjen Çamëria në Kamenicë, ku një person që ushtron veprimtarinë e taksistit, dyshohet se ka dhunuar seksualisht një vajzë të mitur e cila ishte pasagjere. I dyshuari tashmë është arrestuar dhe ka përfunduar në mbajtje.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 23-vjeçarin, Hysen Berisha.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e vona të mbrëmjes, kur viktima kishte marrë taksinë që e drejtonte i riu për t’u kthyer në shtëpinë e saj.
Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, Berisha fillimisht i ka dhënë komplimente për dukjen e më pas ka devijuar rrugën duke e dërguar në një vend në dalje të qytetit.
E aty dyshohet të ketë filluar tmerri për vajzën e mitur, pasi 23-vjeçari dyshohet se ka puthur me forcë në buzë viktimën e më pas ka vazhduar në pjesë intime të trupit.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.