I dyshuari për vrasjen e trefishtë në Gjilan ishte arrestuar vitin e kaluar për fajde – postonte edhe foto me Osmanin, Kurtin e Ramën
Një tragjedi e rëndë ndodhi sot në orën 12:32 brenda një kafeneje në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan, ku dyshohet se kanë humbur jetën 3 persona si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Veriu.info mëson se i dyshuar për këto vrasje është Mefail Shkodra, një person me të kaluar të errët kriminale, i cili vitin e kaluar ishte arrestuar për fajde.
Për ngjarjen e sotme është deklaruar edhe Policia e Kosovës, ku është bërë e ditur se i dyshuari është në arrati.
“Ju njoftoj se sot, më 10.08.2025, rreth orës 12:32, dyshohet se ka ndodhur një rast vrasje dhe plagosje me armë zjarri në Gjilan, rruga ‘Ibrahim Rugova’. Në këtë rast, mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e dy personave, dyshohet që edhe dy persona të tjerë janë plagosur dhe u është ofruar ndihmë në qendrën emergjente në Gjilan. I dyshuari për rastin është një mashkull, shtetas i Kosovës, i njohur për Policinë, i cili për momentin është në arrati. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe Prokurori i Shtetit. Policia e Kosovës, Njësitë e Hetimeve Rajonale në bashkëpunim me Prokurorinë po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë”, ka deklaruar sot zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Me një kërkim të thjeshtë në Facebook, Shkodra shihet se ka postuar gjatë periudhave të ndryshme vetura luksoze, por edhe foto me politikanë të ndryshëm, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.