I dyshuari për plagosjen në Prishtinë ‘u zhduk’ nga vendi i ngjarjes, Policia ende në kërkim të tij
Mëngjesin e sotëm, disa të shtëna me armë zjarri trazuan banorët e lagjes Dardania në Prishtinë. Një konflikt në kafenenë ‘Pasarela’ mes Flamur Berishës dhe Dëfrim Kuqit, rrezikoi të përfundojë tragjikisht për këtë të fundit. Kuqi mbeti i plagosur rëndë si pasojë e të shtënave që dyshohet se u shkrepën nga Berisha, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari për ngjarjen e rëndë, Flamur Berisha, është identifikuar nga Policia e Kosovës, por i njëjti ende s’është arrestuar.
Flamur Berisha
Berisha me të kryer veprën, është larguar në drejtim të panjohur, duke shpëtuar kështu përkohësisht nga duart e organeve të rendit.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, tha për Sinjalin se hetuesit policorë bashkë me Prokurorinë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një person është plagosur dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar (i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.
Ndërkohë, viktima Dëfrim Kuqi, është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Klinikën Universitare të Kosovës.
Dëfrim Kuqi
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, tha për Sinjalin se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.
“E kanë sjellë të plagosurin. Është në gjendje jo stabile, në gjendje të rëndë”, tha Syla.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.