Lajme

I denoncoi rrejshëm personat me të cilët kishte probleme, istogasi ia sheh sherrin vetes – përfundon në pranga

Qytetarët që lajmërojnë rrejshëm në Polici për çfarëdo rasti rrezikojnë të futen në sherr me ligjin dhe të dënohen edhe me burgim. Raste të tilla nuk janë të rralla dhe motivet shpesh dalin të jenë mosmarrëveshje, të cilat të dyshuarit tentojnë t’i zgjidhin duke mashtruar, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet ndaj një 32-vjeçari në Istog, i cili po dyshohet se ka kryer veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti u zbulua derisa Policia po ndërmerrte veprimet e nevojshme hetimore, pas denoncimit të të dyshuarit, se dikush e kishte kërcënuar para shtëpisë së tij. Në deklaratën e tij, i riu kishte kërkuar ndihmë nga Policia, pasi siç pretendonte, tre persona ia kishin thyer xhamin e veturës, ku ia kanë lënë gjoja disa fishekë.

Raportimi i të dyshuarit fillimisht aktivizoi Policinë për t’i ftuar për intervistim personat që u denoncuan, ndaj të cilëve nuk kishte dëshmi se janë përfshirë në rastin e kanosjes. Kjo bëri që Prokurori i Shtetit të urdhërojë që i dyshuari të merret sërish në deklaratë në lidhje me raportimin për kërcënim.

Gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, i dyshuari e ka pranuar që askush nuk e ka kanosur, por motivi që e shtyri të denoncojë rastin ishin mosmarrëveshjet që ka pasur me tre këta persona më herët.

Tentativa për të zgjidhur problemet duke vepruar kundërligjshëm i kushtoi atij me arrestim. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim prej 48 orësh dhe inicimin e rastit për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.