I burgosuri në Dubravë kapet me marihuanë, e kishte fshehur në gojë
Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave. Sikleti për të konsumuar drogë po i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar së fundi në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku një i burgosur është kapur me sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Sinjali mëson se gjatë bastisjes, oficerët korrektues ia kanë gjetur të dënuarit drogën të cilën po e mbante fshehur në gojë që të mos kapet.
Narkotikët janë sekuestruar dhe është njoftuar edhe Prokurori, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.