Kryesore

Humbi shikimin në njërin sy pas operimit të sinuseve, 48-vjeçari denoncon kirurgun e spitalit

Punonjësit shëndetësorë të cilët në dhënien e shërbimeve mjekësore, qoftë edhe nga pakujdesia, shkaktojnë dëmtime apo përkeqësime të gjendjes shëndetësore te pacienti, kryejnë vepër penale dhe sanksionohen me ligj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që ka ndodhur në Klinikën për Vesh, Hundë dhe Fyt në Spitalin Rajonal në Prizren, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një pacient kishte kryer një intervenim kirurgjik në Klinikën e ORL-së, si pasojë e një problemi shëndetësor me sinusët.

Pas operimit, 48-vjeçarit i janë shfaqur komplikime në shikim, pasi që ka humbur plotësisht shikimin në njërin sy. E për këtë ai kërkoi ilaç edhe jashtë vendit, por pavarësisht kontroleve në shtetin e Turqisë, nuk i është kthyer shikimi.

Si rrjedhojë, prizrenasi ka vendosur që të denoncojë në Polici kirurgin i cili kreu intervenimin, specialistin B.G., i cili është intervistuar në stcion policor në cilësinë e të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, ndaj kirurgut kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’.