“Humbëm dy burra, i treti po lufton për jetën”, gazetari nga Peja njofton për vdekjen e dy bashkëfshatarëve
Dita e shtunë ishte e kobshme për disa familje në vendin tonë, që humbën tragjikisht më të dashurit e tyre. Pesë persona vdiqën, në tri aksidente trafiku, në Podujevë, Pejë, si dhe në Graçanicë. Në aksidentin me fatalitet që ndodhi në fshatin Ozdrim të Pejës, mbetën të vdekur dy këmbësorë, ndërkaq një person tjetër është lënduar rëndë, raporton Gazeta Sinjali.
Dy viktimat që u goditën për vdekje janë nga G.Shala dhe F.Shala, të cilët nuk arritën t’i përballojnë plagët e rënda dhe vdiqën në vendin e ngjarjes, teksa personi i lënduar tashmë po trajtohet në QKUK.
Për këtë rast mjaft të rëndë ka shkruar edhe gazetari Florent Zeqaj, i cili i kishte bashkëfshatarë dy anëtarët e familjes Shala, që humbën jetën tragjikisht.
Zeqaj ka njoftuar se edhe personi që mbeti i lënduar është nga e njëjta familje dhe është duke luftuar për jetën.
“Në fshatin tim të lindjes, mbrëmë ndodhi një tragjedi nga e cila i humbëm dy burra, familjarë të mirë, ndërsa i treti po lufton për jetën në spitalin e Prishtinës. Ky është lajm i rëndë e dhimbje e madhe. Viktimat dhe i lënduari janë goditur nga një makinë po nga i njëjti fshat, kjo e bënë dhimbjen edhe më të madhe sepse askush nuk dëshiron të provohet me tragjedi të tilla.“, ka shkruar ai, transmeton Sinjali.
Rastin e ka konfirmuar mbrëmë për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili tha se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është shoqëruar në stacion policor.
“Rreth orës 21:30 Policia është informuar për një aksident trafiku në fshatin Ozdrim të Pejës. Në aksident kanë qenë të involvuara një veturë dhe tre këmbësorë, dy prej të cilëve kanë rezultuar me fatalitet. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa i lënduari është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës. Personi që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin është shoqëruar në stacion policor”, tha Driton Rugova për Sinjalin.
Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë, me ç’rast është bërë e ditur se brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e nevojshme.
16 shtatori shënoi një ditë të kobshme për Kosovën, pasi brenda pak orësh kanë ndodhur tri aksidente me fatalitet, një në Podujevë, një në Graçanicë dhe ky rast në Pejë.
Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.