‘Hilltin’ e 800 eurove e shiti për 30, ky është i riu që dyshohet se vodhi në shtëpinë e xhaxhait të tij
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur së fundi në Prizren, ku një person dyshohet se ka kryer vjedhje në shtëpinë e xhaxhait të tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Mevlan Deliballta, 20-vjeçar.
Deliballta dyshohet se mbrëmjen e së enjtes ka hyrë në shtëpinë e xhaxhait të tij dhe ka vjedhur një mjet pune ‘hillt’, vlera e të cilit ishte rreth 800 euro. Të njëjtin më pas dyshohet se e kishte shitur për 30 euro.
Ka qenë babai i të dyshuarit, ai i cili ka marrë mjetin nga personi i cili e bleu atë dhe më pas ia ktheu vëllait të tij.
I riu është arrestuar nga Policia dhe i njëjti dyshohet të ketë kryer edhe disa vjedhje të tjera në lagjen ku banon gjatë muajit shkurt të këtij viti. Gjatë intervistimit, ai ka pranuar para hetuesve policorë se ka kryer veprën për të cilën dyshohet. Me urdhër të prokurorit, Deliballta është dërguar në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.