Hetim me masa të fshehta: Si u zbuluan babë e bir nga Prizreni duke e shitur heroinën, dërgohen në paraburgim
Babë e bir, Albert dhe Valon Domgjoni nga fshati Shpenadi i Prizrenit, u arrestuan të mërkurën nga Njësiti i Antidrogës nën dyshimin për shitblerje dhe shpërndarje të substancave narkotike. Ata u kapën me mbi 800 gramë heroinë, vlera e të cilave në treg është mbi 16 mijë euro. Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për këtë rast që u zbulua me aplikimin e masave të fshehta, në koordinim me Prokurorinë, e të aprovuara nga Gjykata.
Ndaj dy të ndaluarve, Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar masën e paraburgimit, kërkesë kjo që u aprovua, me ç’rast Gjykata ua caktoi një muaj paraburgim secilit veç e veç. Ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Por si u zbuluan babë e bir duke bërë shitjen e drogës, pasi u vëzhguan nga Policia?
Fillimisht Albert Domgjoni, më 22 tetor në orët e pasdites, pas zbatimit të Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren, për zbatimin e masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, është hasur nga Policia e Kosovës duke i shitur një personit qese plastike me mbi 4. 79 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, të cilën klienti i tij ka paguar 100 euro.
Ndërsa djali i tij, Valoni, është vëzhguar më 6 nëntor, ku Polici e ka hasur duke shitur mbi 5.33 gramë heroinë, në vlerë prej 120 duke i shitur personit tjetër një qese plastike me mbi 5 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë për 120 euro.
Pas hetimeve që u zhvilluan, Policia gjatë ditës së djeshme zbarkoi në shtëpinë e tyre në Shpenadi, ku po ashtu u gjetën substanca të llojit heroinë dhe marihuanë, që u konfiskuan bashkë me prova të tjera, që do të përdoren si dëshmi në procedurë.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë dhe rrezikshmërinë e veprave penale për të cilat dyshohen të njëjtit, prandaj po të lihen në liri mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.