Helmimi me ushqim të shpejtë në Malishevë, 10 prej tyre në gjendje të rëndë në QKUK
Rreth 30 persona janë helmuar në Malishevë pasditen e së premtes derisa të njëjtët dyshohet se kanë konsumuar ushqim në një lokal që shërben ushqime të shpejta.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Toger Sheremet Elezaj ka thënë se fillimisht personat që kishin konsumuar ushqim kishin kërkuar ndihmë në QKMF-në e Malishevës ku janë konstatuar dyshimet e forta se bëhet fjalë për helmim.
“Rreth orës 16:50 kemi pranuar informatë se disa persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-Malishevë, nga raportet fillestare mjekësore, dyshoheshin për helmim si pasojë e ngrënies së ushqimit në një lokal ku shërbehen ushqime të shpejta”.
Ai ka thënë se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe inspektorët komunal si dhe ata të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Lokali përkohësisht është mbyllur nga këta të fundit. Në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar pronari i lokalit dhe lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë””.
Elezaj shton se rasti do të hetohet në procedurë të rregullt.
Derisa drejtori për shëndetësi në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha, për telegrafin ka thënë se 10 prej të helmuarve kanë simptoma të rënda dhe për trajtim janë dërguar në QKUK-Prishtinë.
“10 persona pas simptomave të rënda të helmimit janë dërguar për trajtim në Klinikën Infektive në QKUK. Gjendja e disave prej tyre është e rëndë, por mjekja na ka thënë se të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë”, deklaroi Berisha.
“Janë edhe një ose dy raste që momentalisht po trajtohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Malishevës dhe gjendja e tyre është stabile, derisa disa të tjerë janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, tha tutje ai.