Lajme

Hajnat vjedhin një Golf 2-sh, pronari e gjen të braktisur ‘tmerrohet’ nga gjendja e tij

Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri askund, madje as në oborret e shtëpisë e garazhet e tyre. Të dyshuarit që ua vënë syrin veturave kryesisht të shtrenjta jo gjithmonë kapen pasi arrijnë të ikin pa lënë ndonjë gjurmë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur para tri ditësh në fshatin Glloboçicë në Kaçanik, ku disa persona kanë arritur të vjedhin një veturë të tipit Golf 2 që ishte e parkuar në afërsi të një shtëpie.

Kështu kanë bërë me dije burimet e Sinjalit nga Prokuroria, që njoftuan se rasti është denoncuar nga pronari, i cili kërkoi ndihmën e Policisë për ta gjetur automjetin.

Pas denoncimit të rastit, gjatë ditës së djeshme viktima e ka gjetur të braktisur veturën e tij, të cilën të dyshuarit edhe ia kishin dëmtuar dhe ia lanë në mes të rrugës.

Të njëjtat burime thonë se pronari e njoftoi sërish Policinë për atë që kishte ndodhur dhe më pas lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.