Lajme

Hajnat bëjnë qyl shtëpinë e mërgimtarit Menxhiqi në Vushtrri, vjedhin 30 mijë euro para të gatshme

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Rastet më të shpeshta ndodhin në shtëpitë e mërgimtarëve, që janë cak i hajnave pothuajse çdo ditë. Kështu ka ndodhur edhe të shtunën në shtëpinë e familjes Menxhiqi në Vushtrri, ku hajnat kanë vjedhur një shumë të majme parash, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se vjedhja ka ndodhur në shtëpinë e mërgimtarit Isa Menxhiqi dhe rasti është denoncuar nga vet pronari, i cili ka raportuar se hajnat kanë vjedhur hiç më pak se 30 mijë euro cash.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve, hajnat kanë depërtuar me forcë brenda shtëpisë, ku kanë arritur të kryejnë vjedhjen.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.