Hajnat bëjnë kërdi në një shtëpi në Pejë, vjedhin 10 mijë euro cash dhe shtatë pistoleta
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Shpetim Bojku’ në Pejë, ku persona ende të paidentifikuar kanë hyrë me forcë brenda një shtëpie dhe kanë vjedhur para e armë zjarri.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se të dyshuarit kanë arritur që të vjedhin rreth 10 mijë euro para të gatshme, shtatë pistoleta të cilat kapin vlerën e mijëra eurove dhe stoli ari.
Njësitë policore kanë kryer në vendin e ngjarjes të gjitha ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, teksa vazhdojnë hetimet për gjetjen e të dyshuarve dhe arrestimin e tyre.