Gruaja që u zhduk në Drenicë është viktimë e dhunës në familje, presioni nga burri e detyroi të largohej nga shtëpia
Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe në familjen e gruas nga Drenasi, që u shpall e zhdukur dje nga Policia, e cila është viktimë e dhunës në familjes.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pasi u gjet viktima, në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë ka rrëfyer se për 23 vjet martesë ka pasur telashe vazhdimisht me bashkëshortin e saj, por nuk e kishte raportuar asnjëherë në Polici.
Siç mëson Sinjali, në rastin e fundit, burri i saj ka eskaluar dhe si pasojë e presionit dhe kërcënimeve serioze nga ana e tij, ajo u detyrua të largohej nga shtëpia.
Sipas të njëjtave burime, burri i dyshuar e ka kanosur me jetë bashkëshorten e tij, duke i thënë se “kom me ta nxjerrë shpirtin” dhe duke i kërkuar që të largohet vet nga shtëpia, para se të ndodhë më e keqja.
Dëshmia e saj ka aktivizuar Policinë dhe si rezultat i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, kanë nisur hetimet për “Dhunë në familje”.