Lajme

Gruaja që u gjet e vdekur në Gjakovë ishte nëna e djemve të vrarë në luftë – pas lufte ishte dhunuar nga djali i saj i adoptuar

Një rast i rëndë ka ndodhur të martën në familjen Luzha në Gjakovë, ku një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj

Burimet e Gazetës Sinjali nga atje kanë bërë të ditur se e ndjera u gjet pa shenja jete para disa orësh dhe se vdekjen e saj e ka konfirmuar ekipi i mjekëve që ka dalë në vendin e ngjarjes.

Kjo është gruaja që u gjet pa shenja jete në Gjakovë, Policia nis hetimet për rastin
Gazeta Sinjali mëson se e ndjera është: Nevzete Luzha, nëna e Albertit dhe Armendit, dy djemve të mitur të humbur në luftën e fundit, në Kosovë.

Pas ngjarjes tragjike që nënës Nevzete i kishte ndodh në luftë, ajo kishte vendosur ta adoptonte një fëmijë të gjinisë mashkullore.

Por, me t’u rritur, djali i saj jobiologjik – siç mëson Gazeta Sinjali, e kishte dhunuar fizikisht, nënën e tij adoptuese.

Gazeta Sinjali mëson se për të dyshuarin ka disa raste të hapura për dhunë ndaj tashmë të ndjerës Nevzete Luzha.

Trupi i kësaj të fundit që u gjet pa shenja jeta sot rreth orës 12:25 është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe policia rajonale e Gjakovës.

“Rreth orës 12:25, viktima femër e lindur në vitin 1949, është gjetur pa shenja jete në rrugën “UÇK” në Gjakovë, në banesën e saj (ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e saj)”, thuhet në njoftim.

Policia ka nisur hetimet për rastin, ndërsa pas mbledhjes së informacioneve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar “Hetim mbi vdekjen”.