KryesoreLajme

Gruaja nga Kosova theret me thikë nga burri i saj në sy të djalit të tyre 7-vjeçar

Një ngjarje e rëndë e dhunës ka tronditur dje qytetin e Mynihut të Gjermanisë, ku një grua me origjinë nga Kosova është plagosur rëndë me thikë nga bashkëshorti i saj, gjithashtu kosovar, në prani të djalit të tyre 7-vjeçar.

Autori i dyshuar, Samson K. (33 vjeç), e goditi bashkëshorten e tij, Sabrina K. (31 vjeçe), me mbi pesë goditje me thikë, raporton BILD.

I dyshuari pas sulmit nuk u largua nga vendi i ngjarjes, por qëndroi aty dhe fliste në telefon, teksa gruaja e tij ishte në gjendje kritike.

Çifti ka qenë prej vitesh në një martesë të vështirë dhe kanë së bashku dy fëmijë, një vajzë 4 vjeçe dhe një djalë 7 vjeç.

Sipas raportimeve, marrëdhënia e tyre ishte përkeqësuar me kalimin e viteve, dhe Samson K. ishte dënuar më parë për dhunë në familje, si dhe për shkelje të urdhrit të mbrojtjes me një dënim prej 300 ditësh gjobë.

Në janar 2024, ai e kishte dhunuar fizikisht bashkëshorten, duke i shkaktuar plagë në fytyrë dhe gjakosje, çka kishte çuar në një vendim gjyqësor që i ndalonte t’i afrohej asaj apo banesës së tyre brenda një rrezeje prej 100 metrash – vendim që ai e kishte shkelur katër herë.

Sipas hetimeve paraprake, sulmi i së martës ndodhi kur burri tentoi të merrte vajzën nga kopshti, por nuk iu lejua nga stafi. Ata njoftuan nënën, e cila shkoi, mori vajzën dhe e la tek një shoqe në të njëjtën ndërtesë. Më pas, ajo shkoi të merrte djalin nga shkolla.

Gjatë kthimit në shtëpi, pak metra para banesës, Samson K. e priti dhe e sulmoi me një thikë të vogël 5 herë përpara syve të djalit të tyre.

Sabrina K. u rrëzua në tokë e plagosur rëndë, ndërsa burri i saj qëndroi aty deri në momentin e arrestimit nga policia.

Ai u raportua të ketë thënë para dëshmitarëve, “Nuk e dini çfarë më ka bërë ajo”.

Kurse në mike e viktimës deklaroi për gazetën gjermane “Më pa me një shikim të ftohtë gjatë arrestimit”.

Gruaja e plagosur u dërgua në spital në gjëndje të rëndë dhe po lufton për jetën.