Gruaja në Prishtinë në hall me ish burrin abuziv, e denoncon pasi tentoi ta fus në veturë me forcë
Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.
Shumë gra vendosin t’i ndajnë rrugët me burrat abuzivë, por as në këtë formë nuk arrijnë të shpëtojnë nga problemet.
Sinjali mëson se në hall me ish bashkëshortin e saj është edhe një grua nga Prishtina, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë gjatë ditës së djeshme.
Bazuar në informacionet e para, ish burri i saj i ka dalë në rrugë dhe ka tentuar që ta fus me forcë në veturë, por nuk ka arritur dhe është larguar.
Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari i ka dërguar edhe mesazhe kërcënuese ish bashkëshortes, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.
Përballë kësaj situate, viktima e ka raportuar rastin dhe si rezultat, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, por s’kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit, ndërsa viktima me fëmijët është dërguar në strehimore.