Gruaja i rrah dy policë në Prishtinë i bënë për spital
Zyrtarët policorë shpesh herë janë cak i sharjeve e ofendimeve nga qytetarët, të cilët ka raste kur eskalojnë edhe në kërcënime e sulme fizike. Në këtë mënyrë ata përballen me vështirësi gjatë kryerjes së detyrave zyrtare e shpesh u rrezikohet edhe jeta, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje te Pallati i Drejtësisë në Prishtinë, ku një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë.
Sinjali mëson se 39-vjeçarja pas një mosmarrëveshje me zyrtarët e administratës, ka kërcënuar zyrtarët policorë që ndodheshin atje. E të njëjtit më pas dyshohet se i ka sulmuar fizikisht, duke u shkaktuar lëndime trupore.
Dy policët kanë kërkuar ndihmë mjekësore shkaku i lëndimeve, ndërsa e dyshuara është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ajo është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.