Lajme

Grabitje në një pompë derivatesh, hajnat ia vendosin thikën në fyt punëtorit

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese, raporton Gazeta Sinjali.

Një grabitje nën kërcënimin e armës ka ndodhur edhe në orët e para të mëngjesit në një pompë derivatesh në Hajvali të Prishtinës.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy persona të maskuar kanë arritur që të marrin nga punëtori një telefon celular.

Bazuar në dëshminë e viktimës, teksa po qëndronte jashtë pompës me telefon në dorë, dy të dyshuarit ia kanë vendosur thikën në fyt dhe i kanë kërkuar para.

Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe një koleg i 22-vjeçarit, sipas të cilit, posa ka dëgjuar britmën e viktimës ka vrapuar në drejtim të tyre, por nuk ka arritur që t’i kap të dyshuarit.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen dhe të kapen të dyshuarit.