Gjykata refuzon ta dërgojë në paraburgim pronarin e ‘Shell Kosova’, ia cakton masën e arrestit shtëpiak
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj biznesmenit, Lulzim Kryeziu, i cili dyshohet për dhunë në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Gjyqtari i procedurës paraprake Kryeziut i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
“Divizioni Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhunë në familje nga neni 248 paragrafi 3 nënparagrafi 3.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.K e ka refuzuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Arresti shtëpiak të pandehurit i është caktuar në konform nenit 183 lidhur me nenin 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Sinjali dje ka raportuar ekskluzivisht se Kryeziu është denoncuar nga bashkëshortja e tij, e cila para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje të gjithë rastin që dyshohet të ketë ndodhur orët e para të ditës së mërkurë. Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e përbashkët të çiftit në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, ku Kryeziu dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, duke e sulmuar atë fizikisht.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Kryeziu has në telashe me ligjin për shkak të veprimeve të tij të dhunshme. Ai ishte denoncuar edhe më parë për sulm fizik ndaj një gazetari, i cili si pasojë e lëndimeve të marra nga rrahja, kishte kërkuar ndihmë mjekësore edhe në spital.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.