Lajme

Gjykata cakton paraburgimi për të dyshuarit për vjedhjen 600 mijë euro në “Kos Recycle”, avokati Feka: Do të ankohemi në Apel, prokuroria nuk solli fakte

Një vjedhje e rëndë ka ndodhur para pak ditësh në kompaninë për grumbullimin e katalizatorëve “Kos Recycle” në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, ku janë vjedhur materiale në vlerë rreth 600 mijë euro, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Veriu.info ka mësuar nga burimet e saj brenda prokurorisë se dy të dyshuarit kryesorë për kryerjen e kësaj vjedhje janë Masar Dedinca dhe Arbnor Mustafa, si dhe Gentiana Dedinca për keqpërdorim të besimit.

Sipas burimeve nga prokuroria dyshohet se Masar Dedinca dhe Arbnor Mustafa, punëtorë të kompanisë, me datë 17 maj kanë hyrë në objektin e kompanisë “Kos Recycle” dhe kanë vjedhur material të katalizatorëve në vlerë 500 mijë euro, si dhe një pasjisje për detektimin e materies në vlerë 25 mijë euro.

Gentiana Dedinca dyshohet për keqpërdorim të besimit pasi dyshohet se materiali është ngarkuar në kamion me pirunar butoni i të cilit gjendet në zyrën e të pandehurës.

Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë bazuar në kërkesën e prokurorisë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Masa Dedincës dhe Arbnor Mustafës.

Veriu.info ka kontaktuar avokatin mbrojtës të Arbnor Mustafës, Kastriot Fekën, lidhur me rastin, i cili ka thënë se prokuroria nuk ka sjellur fakte se i mbrojturi i tij është i përfshirë në rast.

“Sot gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj klientit tim. Arbnor Mustafa. Të hënën do të bëjmë ankesë në Apel, sepse konsiderojmë që prokuroria nuk ka sjellur fakte se klienti im është i përfshirë në rast.” – ka thë avokati Kastriot Feka.