Gjuajtje me armë në Prishtinë, arrestohet një person
Një përleshje fizike që ka përfunduar edhe me përdorim të armës së zjarrit ka ndodhur të mërkurën në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka bërë të ditur se nga përleshja fizike një person është lënduar, ndërsa ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri.
“Sot rreth orës 12:30, kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri të ndodhur në rrugën ‘Bajram Bahtiri’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Ahmeti.
Ahmeti ka bërë të ditur gjithashtu se personi i dyshuar për rastin tashmë është arrestuar.
“Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast gjatë përleshjes fizike është lënduar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit.”, tha ajo.