Lajme

Gjilanasi inskenon grabitjen, me ‘dosjen’ e Policisë tentoi t’i rregullojë dokumentet në Francë për trajtimin e djalit

Mungesa e infrastrukturës dhe personelit të kualifikuar shëndetësor në Kosovë, shpeshherë detyron qytetarët që të kërkojnë trajtim mjekësor jashtë shtetit. Por ky trajtim ka një kosto enorme, prandaj ata zgjedhin forma të ndryshme për të kërkuar te të njohurit e të panjohurit për t’i siguruar mjetet e nevojshme. Raste të tilla jemi mësuar t’i shohim shpesh, por një rast jo fort i zakontë ka ndodhur në Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.

Dy prindër kanë raportuar rrejshëm se kanë qenë cak i grabitjes, me pretendimin se dokumenti që ua lëshon Policia si viktima të rastit, të shfrytëzohet kur të udhëtojnë për Francë, ku do ta dërgojnë djalin e tyre për trajtim. Kështu ata kanë menduar se do të kenë mundësi të rregullojnë dokumentacionin, njoftojnë burimet e Sinjalit nga Prokuroria.

Sipas të njëjtave burime, çifti e kishte denoncuar rastin në mes të muajit nëntor, ku kanë raportuar se hajnat i kanë grabitur në shtëpinë e tyre. Thirrja për ndihmë ka aktivizuar Policinë, me ç’rast me urdhër të Prokurorit të Shtetit kishin nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Por gjatë procesit të hetimit, u ngritën dyshime në lidhje me rastin, pasi hetuesit nuk kishin gjetur prova se grabitësit kishin hyrë në shtëpinë e viktimave (tashmë të dyshuar). Kjo bëri që Prokurori të urdhërojë riintevristimin e tyre, me ç’rast aty u zbulua gjithçka.

Siç thonë burimet, burri i dyshuar ka rrëfyer para hetuesve policorë se rastin e kishte inskenuar në mënyrë që të sigurojë një dosje, e cila mund t’ju ndihmojë për t’i rregulluar dokumentet në Francë, ku do të udhëtonin për trajtimin mjekësor të të birit.

Lajmërimi i rrejshëm i këtij rasti, i ka kushtuar të dyshuarit. Ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Lajmërimi apo Kallëzimi i Rremë” dhe është urdhëruar dorëzimi i kallëzimit penal.