Lajme

Gjendja në veri, ekspertët e sigurisë: Situata në dorë të Kurtit, mos t’i dalë jashtë kontrollit – ja si të veprojë

Të shtunën e 5 nëntorit, Lista Serbe dha dorëheqje nga të gjitha institucionet, ndërsa komandantët serbë të Policisë së Kosovës në rajonin e veriut të vendit i zhveshën uniformat e tyre, para zyrtarëve të Listës Serbe në Zveçan.

Ata dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre, ndërsa që Policia e Kosovës njoftoi se dorëheqjet e policëve serbë kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme (e diel).

Dorëheqje më 5 nëntor dhanë edhe udhëheqësit në sistemin gjyqësor.

Sot në veri u organizua protestë nga serbët, të cilët thanë se kërkojnë formimin e Asociacionit.

Protesta u mbajt në sheshin Car Llazari në Mitrovicë të Veriut, ku serbët u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë për veprimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me qortimin e banorëve për targat serbe KM.

E, dorëheqje dhanë edhe kryetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe.

Lidhur me këtë, shefi i stafit në Kabinetin e Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, tha se ata tradhtuan ka qytetarët e tyre.

”Vetëm zgjedhjet dhe ligjet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës prodhojnë përfaqësim ligjor dhe legjitim”, ka shkruar Vela.

Ndërsa, lidhur me situatën, kryeministri Albin Kurti tha se Serbia do të dështojë ta destabilizojë Kosovën, derisa tha se është në kontakt të vazhdueshëm me ndërkombëtarët.

Lidhur me situatën në veri, për Gazeta Blic kanë folur ekspertë të sigurisë.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë, thotë se Qeveria e Kosovës e ka në dorë skenarin që ta menaxhojë situatën dhe të mos i dalë jashtë kontrollit, e këtë ta bëjë me SHBA-të.

“Skenari është në dorën e politikës me të cilën duhet qeveria e Kosovës të menaxhojë duke rikthyer mendjen në veprim dhe harmonizim dhe situata mos t’i dalë nga kontrolli me partnerin strategjik SHBA”, vlerëson ai përGazeta Blic.

Shala thekson se shkuarja në veri e KFOR-it dhe EULEX-it është fuqizim i rezolutës 1244.

“Një dështim i Policisë në veri dhe shkuarja e EULEX-it dhe KFOR-it, de-fakto kemi një fuqizim të 1244 në atë pjesë dhe autoriteti i institucioneve të eliminohet në situatën para 2008 në atë pjesë”, potencon eksperti i sigurisë.

Mirë, sipas tij, nëse Kurti di ta menaxhojë situatën, veprimet tjera nuk kanë efekt të gjerë dhe janë çështje teknike.

“Por, në rast se Kryeministri di ta menaxhojë situatën, atëherë këto veprime tjera janë teknike, procedurale por pa efekt të gjerë”, deklaron ai për Gazeta Blic.

Në anën tjetër, studiuesi i sigurisë, Armend Halimi, thotë se veriu i vendit ka qenë vazhdimisht i sfiduar, derisa këtë gjendje e kanë toleruar faktori vendor dhe ai ndërkombëtar, teksa shton se serbët e angazhuar në institucionet e Kosovës kanë shërbyer në të njëjtën kohë edhe për Serbinë.

“Veriu i vendit është i sfiduar vazhdimisht, prej se kanë toleruar këtë gjendje faktori vendimmarrës vendor dhe ai ndërkombëtar. Andaj, nëse ia shtojmë edhe faktin se personat serbë të angazhuar në institucionet tona, realisht kanë qenë paralelisht edhe në shërbim të shtetit serb, nuk e bën gjendjen në atë pjesë më të dramatizuar, ngase në cilëndo rrethanë i kanë shërbyer Serbisë”, potencon ai.

Halimi thekson se në veri janë persona ose grupe kriminale që kanë interes kriminal për të zhvilluar veprimtarinë e tyre pa u penguar por që qytetarët serbë në veri janë lodhur nga shantazhi i Serbisë.

“E mira është që flasim për persona, eventualisht grupe kriminale që jo se ju dhemb aspekti politik, por interesi kriminal, por se është në interes edhe qasja e Serbisë, ngase iu krijon lehtësira për operim kriminal të papenguar, në anën tjetër këta persona apo grupe si kompensim ndaj shtetit serb, mund të kryejnë edhe sulme sporadike, por assesi nuk flasim për qytetarë serbë, të cilët janë të lodhur nga shantazhi i Serbisë dhe njerëzve të saj”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Andaj, ai thotë se Kosova duhet të punojë ngushtë me këta qytetarë serbe, që t’u dalë në ndihmë për mbrojtje nga Serbia.

“Kështu që, në këtë gjendje të re të krijuar, Republika e Kosovës duhet të punojë ngushtë me qytetarët serbë të asaj pjese, në dalje në ndihmë ndaj tyre për mbrojtje nga Serbia”, deklaron Armend Halimi./Gazeta Blic/