Gjakovë: Burri dhe vjehrri ushtrojnë dhunë ndaj nuses, ajo i denoncon dhe kthehet te familja e saj
Rastet e dhunës në familje janë në rritje çdo ditë e më shumë. Zakonisht viktima janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike jo vetëm nga bashkëshortët, por edhe nga pjesëtarët tjerë të familjes. Në konflikte të tilla shpesh përfshihen edhe vjehërria, të cilët ushtrojnë dhunë ndaj nuseve të tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në fshatin Brovinë të Gjakovës, ku një grua ka kërkuar ndihmë nga Policia, si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti dhe vjehrri i tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë, burri dhe babai i tij kanë ushtruar dhunë psikike në mënyrë sistematike ndaj saj, duke i bërë presion.
Për pasojë, ajo ka vendosur që të kërkojë ndihmë, duke i raportuar të dyshuarit në Polici, me ç’rast ka rrëfyer për dhunën që ka përjetuar në shtëpinë e burrit.
Si rezultat i raportimit, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet për dhunë në familje, kurse gruaja ka shkuar te familja e saj, aty ku ndihet më e sigurt.