Lajme

Fushë-Kosovë: Burri i kërkon ta lërë punën në qendrën e masazhit, gruaja ia kërkon divorcin

Një çift në Fushë-Kosovë kanë përfunduar në stacion policor, për shkak të dhunës në familje.

Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur pasi 19-vjeçarja i ka kërkuar divorcin bashkëshortit të saj 36-vjeçar, gjë e cila ka bërë që ky i fundit të shkojë në vendin ku punon viktima dhe ta ngacmojë atë duke ushtruar dhunë psikike ndaj saj.

Përballë kësaj situate, viktima ka denoncuar rastin në Polici ku ka deklaruar se po shqetësohet vazhdimisht nga bashkëshorti i saj, i cili i bën presion vetëm për shkak se ajo ka shprehur dëshirën që të ndahet nga ai.

Por këto i ka mohuar i dyshuari, i cili gjatë intervistimit nga hetuesit policorë ka thënë se ai ka kërkuar nga bashkëshortja e tij që ta lërë punën në qendrën e masazhit dhe kjo është arsyeja pse ai ka shkuar në vendin e saj të punës.

Sipas tij, nuk ka asnjë problem me bashkëshorten dhe e respekton vendimin e saj për shkurorëzim, duke thënë se ajo mund të vazhdojë jetesën në banesën ku bashkëjetonin tash e një kohë.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.