Flet vëllai i pjesëtarit të FSK që u arrestua në lidhje me vrasjen e Liridonës: Garantoj që natën kritike Kushtrimi ka qenë në shpi
Vëllai i pjesëtarit të FSK që u arrestua në lidhje me vrasjen e Liridonës: Garantoj që natën kritike Kushtrimi ka qenë në shpi
Kushtrim Kokolla është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, si i dyshuari i tretë për vrasjen e Liridona Murselit.
Kokolla, pjesëtar i FSK-së, dyshohet të ketë bashkëpunuar me Naim Murselin, bashkëshortin e Liridonës, dhe Granit Plavën, dorasin, në vrasjen e të ndjerës.
Lidhur me këtë ka reaguar vëllai i Kushtrimit, Kanoni.
Në një prononcim për Indeksonline, Kanon Kokolla ka thënë se ndjehet i shokuar nga zhvillimet e fundit, duke thënë se vëllai i tij është i pafajshëm.
“Jemi të shokuar! Por një gjë ta garantoj, se vëllai im në natën kritike ka qenë në shtëpi. Tjetër gjë nuk di”, tha Kokolla.
Ai nuk beson se vëllai i tij ka qenë në ndonjë tjetër formë në rast.
“Vallahi nuk besoj! Ai ka qenë shumë i lidhur me të (Liridonën). Se ne jemi shumë të lidhur familjarisht. Ne jemi rritë bashkë me Liridonën!” ka thënë ai.
Duke përshkruar gjendjen e familjeve, ai thotë se të gjithë janë të shokuar.
“Nuk kam informata tani [flet për familjen e Liridonës]. Tri familje jemi ekstrem keq. Të shokuar. Si familjarët e Liridonës, si prindërit e Naimit, si ne, komplet jemi të shokuar. Po n’a duket si ëndërr e s’po mundemi me besu. Përpos nëse çmendesh, se nuk ka kurrfarë arsye një njëri me e bë atë send” ka thënë Kanon Kokolla për Indeksonline.
Liridona Murseli u vra të mërkurën mbrëma, teksa po udhëtonte me bashkëshortin dhe fëmijët e saj drejt shtëpisë në Prishtinë.