Lajme

Filmohet aksidenti rrëqethës në Itali, çifti nga Zvicra digjet për së gjalli brenda Ferrari-it

Dy persona janë djegur për së gjalli, kur vetura e tyre “Ferrari” u përplas në një “Lamborghini” gjatë tejkalimit me shpejtësi të madhe në një rrugë në Itali.

Siç mund të shihet në video, “Lamborghini” tentoi të kalojë pranë një “kamperi” të bardhë që po lëvizte para tij, derisa kolona e veturave sportive po lëviznin në një rrugë në jug të Sardinia të Italisë, transmeton Telegrafi.

Disa sekonda më vonë, “Ferrari” i kuq pas tij tentoi ta arrijë, duke bërë që “Lamborghini” të përplaset në “kamperin” ku si pasojë është rrokullisur.

Edhe “Ferrari” u rrokullis në anën tjetër të rrugës, duke u përfshirë nga zjarri dhe si pasojë çifti nga Zvicra që gjendeshin në veturë, janë djegur për së gjalli.

E çifti që po udhëtonte me “kamper” është lënduar dhe dërguar me urgjencë në spital për trajtim, shkruan Telegrafi.

“Ishim ulur kur dëgjuam krismën. Shikova gruan në sy dhe e pyeta nëse është mirë. Tundi kokën”, tha Lorenco M i cili ishte brenda “kamperit”.

Dyshja megjithatë kanë arritur të ngritën nga ulëset dhe të dalin nga vetura.

“Kur dolëm jashtë, menduam se jemi në ferr”, shtoi ai.

“Ferrari ishte në zjarr dhe në të gjitha anët dëgjoheshin britma”, theksoi ndër tjera Lorenco.

Çifti në “Lamborghini” gjithashtu janë lënduar dhe dërguar për trajtim në spital.

Në anën tjetër autoritetet kanë konfiskuar mbetjet e tri veturave derisa hetimet janë duke vazhduar.

Sipas mediave italiane, të gjithë pasagjerët në veturat luksoze morën pjesë në eventin Sardinia Supercar Experience”, ku gjatë gjashtë ditëve, pjesëmarrësit voziten nëpër ishull me “Ferrari” dhe “Lamborghini”.