Ferizaj, vjehrra dënohet me burg pasi akuzohet se e kafshoi me dhëmbë të renë
Një grua nga Ferizaj është dënuar me gjashtë muaj burgim pasi i kishte shkaktuar lëndime trupore të resë (nuses së djalit).
Incidenti kishte ndodhur më 4 mars 2022 pas një konflikti verbal.
Sipas Gjykatës së Ferizajt, e reja me inicialet F.A-F. paraprakisht ka përdorur forcën fizike ndaj vjehrrës S.F.
Në vendim thuhet se e pandehura F.A-F, pas një mosmarrëveshjeje me burrin e saj, me ç’rast kishte kërkuar nga ai që ta pastronte vajzën e tyre, vjehrra kishte vërejtur se situata po acarohej mes resë dhe djalit.
Ajo kishte shkuar pas çiftit në banjo te vajza dhe gjatë një konflikti verbal nusja dyshohet se e ka sulmuar fizikisht vjehrrën, duke e goditur me dorë në fytyrë, me ç’rast akuzohet se ka kryer veprën penale – sulmi.
Në dosje të Gjykatës thuhet se në atë moment vjehrra S.F. e sulmon të renë duke e kafshuar në dorë të majtë me të cilin veprim i shkakton lëndime të lehta trupore.
Dy të pandehurat, S.F. dhe F.A-F. janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse të pandehurat në periudhën kohore prej një viti nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryejnë vepër tjetër penale.
“Obligohen të pandehurat që secila në mënyrë individuale të paguajë në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej nga 20€ /njëzetë euro/, obligohet e pandehura S.F, që në emër të ekspertizës mjeko ligjore të datës 25.03.2022, të e paguaj shumën prej 20€ /njëzet euro/, si dhe konform nenit 39 par. 3 pika 3.1 të ligjit Nr. 05/L-036, për kompensimin e viktimave të krimit, obligohen të pandehurat që secila veç e veç, të e paguajë shumën prej nga 30€ /tridhjetë euro/, të gjitha këto brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e plotfuqishmërisë se këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit”- thuhet në dosjen e Gjykatës së Ferizajt.
Aktgjykimi është shpallur më 6 korrik 2022.