Kryesore

Escobar kërkon marrëveshje për targat para datës 21 nëntor: Ka potencial për t’u përshkallëzuar më tej tensionet në terren

Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Gabriel Escobar, ka deklaruar të premten se shpreson që Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim, për të ulur tensionet në veri të Kosovës, me mbështetjen e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, dhe theksoi se SHBA-ja i mbështet aktivisht këto përpjekje.

Në një intervistë për Tanjug, Escobar i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë fleksibilitet maksimal dhe të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim dhe përpara afatit të 21 nëntorit, pas së cilës Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të gjobitë serbët që nuk konvertojnë targat ilegale në RKS.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje që palët të zbatojnë detyrimet që i kanë arritur në dialog, siç është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Pastaj palët duhet të dyfishojnë obligimet e tyre ndaj dialogut, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve tashmë të nënshkruara, që nënkupton fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë ai.

Escobar theksoi se pajtohet me BE-në që ngjarjet e fundit janë shqetësuese.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për tu përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, shtoi ai.

Për themelimin e Asociacionit, Escobar u shpreh: “Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që është e nevojshme themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili e bën formimin një obligim ligjor të detyrueshëm për Kosovën”.

I pyetur nëse ka aktivitete diplomatike amerikane për këtë çështje, Escobar thotë se ka “një partneritet të plotë me kolegët nga BE-ja”.

Ai mbështet propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Shton se detajet e propozimit janë duke u diskutuar në kuadër të dialogut të BE-së.

“Ne e mbështesim fuqishëm. Supozoj se pas bisedimeve mes dy qeverive do të fillojë një angazhim më i madh me publikun”, thekson ai.

Escobar nuk planifikon ndonjë vizitë së shpejti në Prishtinë ose Beograd.