Lajme

“Erblini ishte plot humor e energji pozitive…”, ky është i riu që vdiq në rrethana të dyshimta te Hotel Grand

Portali raportoi të dielën për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur te Hotel Grandi në Prishtinë, ku një 30-vjeçar ka vdekur në rrethana të dyshimta. Policia e ka konfirmuar rastin ndërkohë që është bërë e ditur se vdekja e të riut është cilësuar si e dyshimtë. I riu, Erblin Shala dyshohet se u rrëzua në diskon “13 Rooftop” në këtë hotel dhe fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.

Edhe Innovation Centre Kosovo ka njoftuar për vdekjen e Erblinit, i cili ishte mjeshtër i ‘Motion Design’.

“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të mikut dhe anëtarit të komunitetit tonë, Erblin Shala. Erblini ishte mjeshtër në Motion Design, drejtoi kompani në fushën e dizajnit, një djalosh plot humor dhe energji pozitive, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën tonë.

I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve nga Gjakova dhe Prishtina.

Të qoftë i lehtë dheu, Erblin!”, thuhet në njoftim.

image 101

Nga Policia kanë njoftuar se trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ku do të konstatohet shkaktari i vdekjes.

“Sot rreth orës 06:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në hollin e një Hoteli në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit mashkull 30 vjeç.

Aktualisht policia  ka nisur hetimin e rastit si vdekje e dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, ka bërë të ditur Policia për Sinjalin.

Ndryshe, redaksia ka kontaktuar edhe diskon “13 Rooftop”, mirëpo të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.