Lajme

Edhe ky vit nis me shumë raste të dhunës: Burri në Fushë Kosovë e mbyll gruan të mos shkojë te familja e saj, përfundon në pranga

Viti që lamë pas nisi e përfundoi me raste tragjike të grave të vrara. Rastet e dhunës në familje pothuajse çdo ditë janë rritur dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta, të keqtrajtimit fizik e psikik kryesisht nga bashkëshortët e tyre. Ato shpesh kërkojnë mbrojtje institucionale, por jo gjithmonë shteti arrin t’i mbrojë, raporton Gazeta Sinjali.

Në vazhdën e këtyre ngjarjeve mjaft të rënda që po ndodhin në familjet kosovare, Sinjali ka mësuar për një rast të tillë që ka ndodhur së fundmi në një familje në Fushë Kosovë.

Edhe këtë herë, burimet nga Prokuroria thonë se i dyshuar është një burrë, i cili e ka mbajtur me dhunë bashkëshorten e tij në banesë. Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë, burri i saj G.M., e ka mbyllur për të mos e lejuar atë ta vizitojë familjen e saj.

Rasti u zbulua pasi Policia mori informacionet për dhunën në këtë familje dhe intervenoi menjëherë në vendin e ngjarjes, ku viktima rrëfeu detajet e asaj që kishte ndodhur. E shqetësuar ajo ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Sinjali mëson se i dyshuari ndonëse i ka mohuar kategorikisht pretendimet e bashkëshortes së tij, nuk iu ka shpëtuar prangave të Policisë, me ç’rast është shoqëruar në stacion policor. Ndaj tij, pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim policor.