Lajme

“E vrau bashkëshorten me plumb në kokë”, burri nga Peja: Nuk më la të futem në shtrat, më thoshte skizofren

43-vjeçarja, Gjyljeta Ukella u vra me një plumb në kokë mëngjesin e 16 prillit nga bashkëshorti i saj Edmond Lajqi i cili ndodhet në burg. Ndaj tij, është ngritur aktakuzë për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Gazeta Insajderi ka arritur të siguroj aktakuzën e plotë në të cilën janë dhënë edhe shkaqet e kësaj vrasje të tmerrshme. I pandehuri, Edmond Lajqi ka deklaruar se e ka vrarë gruan e tij në orën 08:00 të mëngjesit pasi ajo nuk e la ‘të futej në shtrat’. Por, ky nuk ishte i vetmi shkak. Problemet martesore mes çiftit kishin filluar kohë më parë. Insajderi sjell detaje nga aktakuza.

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Edmond Lajqit, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukelli më 16 prill të këtij viti në Pejë.

Sipas dosjes së prokurorisë, qifti nga Peja kishin kriza të thella në martesë. Nga deklarata e dorasit kuptohet se ai ishte i pakënaqur nga mënyra se si ishte trajtuar nga viktima ( bashkëshortja e tij) dhe nga familja e saj.

Sipas tij, kjo e ka bërë të ndihet keq për shkak edhe gjendjes depresive që ndodhej viteve të fundit për shkak të vdekjes së babait të tij.

Lajqi, sipas dosjes, në ditën kritike nuk kishte fjetur në banesën e tij por kishte qenë në spital me nënën, e cila ishte duke u trajtuar.

Sipas dosjes, i pandehur rreth orës 8:00 të mëngjesit të datës 16 prill kishte shkuar në banese. Derën e banesës ia kishte hapur djali i tyre i mitur. Ai ka deklaruar se kur ka mbërritur në banese e ka gjetur gruan e tij në shtrat duke fjetur. Ai tregon se është refuzuar nga bashkëshortja e cila sipas tij, e ka injoru dhe fyer. Pas kësaj, ai deklaron se ka gjuajt me armë zjarri në drejtim të saj, e cila si pasojë e plagës ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Gjithmonë sipas dosjes së prokurorisë e cila bazohet në dëshminë e dorasit dhe familjarëve, thuhet se çifti kishin pasur probleme bashkëshortore për një kohë të gjatë. Sipas bisedave mes qiftit që ka siguruar prokuroria thuhet se viktima i ishte drejtuar dorasit me fjalët “skizofren” dhe “martesa jon finite”.

Ndërsa i pandehuri, Edmond Lajqi ka deklaruar se një ditë para vrasjes ishte sulmuar fizikisht nga gruaja e tij dhe ishte ofenduar me fjalët “ti je njeri i ulet, je një dështakë”. Madje ai përmend edhe dyshimet për tradhti nga bashkëshortja e tij.

Edmond Lajqi ka deklaruar se viteve të fundit ka pasur edhe ofendime e fyerje nga familjarët e gruas së tij. Sipas tij, këto situata e kanë bërë të ndihet keq dhe i ofenduar.

Në vijim mund të ndiqni storien e realizuar nga gazetarja Dijellza Preniqi.